Vendet arabe dënojnë sulmet e Iranit ndaj tyre, Trump paralajmëron Teheranin: Do të godasim në mënyrë masive të gjithë fushën e gazit South Pars
Një grup vendesh arabe kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas sulmeve të fundit të Iranit, në përfundim të një takimi të ministrave të jashtëm të zhvilluar në Riad.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Bahreini, Kuvajti, Libani, Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtete të tjera të rajonit.
Në deklaratën e tyre, ata dënojnë atë që e cilësojnë si sulme “të qëllimshme” nga Irani, duke theksuar se janë goditur zona të banuara, infrastruktura civile dhe objekte diplomatike. Sipas tyre, këto veprime nuk mund të justifikohen “nën asnjë pretekst”.
Vendet pjesëmarrëse theksojnë gjithashtu të drejtën e tyre për vetëmbrojtje në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së.
Në deklaratë i bëhet thirrje Iranit që të “ndalojë menjëherë sulmet”, të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe “parimet e fqinjësisë së mirë”, si dhe të shmangë çdo masë apo kërcënim për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Njëkohësisht, vendet arabe dënojnë edhe “agresionin” e Izraelit ndaj Libanit dhe atë që e cilësojnë si “politikë ekspansioniste” të tij në rajon.
Trump paralajmëron Iranin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar një reagim të gjatë në platformën sociale ‘Truth’ lidhur me një sulm izraelit ndaj fushës së gazit ‘South Pars’ në Iran, i ndodhur të mërkurën në mbrëmje.

Në kundërpërgjigje, Irani ka goditur zonën industriale Ras Laffan në Katar, e cila përfshin një nga impiantet më të mëdha në botë për përpunimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Në deklaratën e tij, Trump thekson se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin asnjë dijeni” për sulmin izraelit dhe se Katari nuk kishte asnjë përfshirje apo informacion paraprak mbi të. Ai shton se Izraeli reagoi “në mënyrë të ashpër” si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, Irani nuk ishte në dijeni të kësaj dhe për këtë arsye sulmi ndaj Ras Laffan ishte “i pajustifikuar dhe i padrejtë”.
Trump paralajmëroi gjithashtu se Izraeli nuk do të ndërmarrë një tjetër sulm ndaj fushës ‘South Pars’, përveç rasteve kur Irani vendos të godasë një tjetër vend që ai e cilëson si të pafajshëm, në këtë rast Katarin.
Trump kërcënoi se nëse Irani sulmon sërish Katarin, SHBA do të reagojë duke goditur në mënyrë masive të gjithë fushën e gazit South Pars, “me një forcë dhe fuqi që Irani nuk e ka parë kurrë më parë”.
Megjithatë, Trump theksoi se nuk dëshiron të autorizojë një nivel të tillë dhune për shkak të pasojave afatgjata për Iranin, por paralajmëroi se nuk do të hezitojë të veprojë nëse infrastruktura e LNG-së në Katar sulmohet sërish.
