Tenderat e barnave pa garë, Jonaid Myzyri i OBP-së i jep 360 milionë lekë kompanive “Rejsi Farma” dhe “Aldosch Farma”
TIRANË- Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), nën drejtimin e Jonaid Myzyrit, ka dhënë dy tendera me një vlerë totale prej 359.9 milionë lekësh, ose rreth 3.9 milionë euro, për furnizimin e spitaleve publike me medikamente bazë. Sipas raportimit të VNA, të dyja procedurat janë zhvilluar pa konkurrencë reale, ndërsa kompanitë fituese kanë paraqitur oferta shumë pranë vlerës maksimale të parashikuar.
Bëhet fjalë për dy marrëveshje kuadër me kohëzgjatje 24 muaj, të lidhura me furnizimin e spitaleve publike me medikamente. në lotin e parë, me fond limit prej 178.1 milionë lekësh, për blerjen e serumit fiziologjik, në garë është paraqitur vetëm bashkimi i operatorëve “REJSI FARMA” dhe “ALDOSCH-FARMA”.

Oferta e tyre ka qenë sa 99.5% e fondit limit, duke bërë që kontrata të jepet thuajse në vlerën maksimale të parashikuar. I njëjti skenar është përsëritur edhe në lotin e dytë, me vlerë 181.8 milionë lekë, për medikamentin e kombinuar paracetamol dhe ibuprofen.
Në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm kompania “INTERMED”, e cila ka paraqitur një ofertë sa 99.8% e vlerës së fondit limit. Pas të dyjave këtyre procedurave që janë zhvilluar pa rivalë në garë qëndrojnë kompani të cilat raportohen si të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me bizneset e politikanit Tom Doshi.

Një prej tyre është “Aldosch-Farma”, e cila në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit figuron në pronësi të Aqif Hoxhës. Ky i fundit, më herët ka pasur më herët lidhje pune me bizneset e Tom Doshit dhe aktualisht mban edhe postin e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë “Antibiotik”, e cila zotërohet nga Doshi.
Ndërkohë, “INTERMED” zotërohet nga biznesmeni Petrit Maho. Biznesmeni ka pasur marrëdhënie të mëparshme biznesi me Tom Doshin. Në vitin 2014, ai i ka shitur Doshit 35% të kuotave të kompanisë “Beata”, në sektorin e blegtorisë, në Koplik. Më vonë kuotat janë rikthyer te Maho pas ndryshimeve të mëtejshme në strukturën e kompanisë.

Dy procedurat ngrenë pikëpyetje për nivelin e konkurrencës në prokurimet publike, veçanërisht për faktin se në të dyja rastet ka pasur vetëm një ofertues ose një bashkim operatorësh dhe çmimi i ofruar ka qenë pothuajse i barabartë me fondin limit.
Kjo praktikë e dhënies së tendersave pa garë, do të duhet të ketë një verifikim të mëtejshëm nga institucionet përgjegjëse, përfshirë organet e drejtësisë, për të përcaktuar nëse procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave të konkurrencës./SHEKULLI
