6 muaj afat për të deklaruar ndërtimet pa leje/ Projektligji: Shteti merr pallatet e braktisura dhe i përfundon me tender

Pisk
By
Pisk
4 Min Read

6 muaj afat për të deklaruar ndërtimet pa leje/ Projektligji: Shteti merr pallatet e braktisura dhe i përfundon me tender

TIRANË- Qeveria ka depozituar në Kuvend një projektligj të ri që prek drejtpërdrejt mënyrën se si do të trajtohen ndërtimet pa leje dhe objektet e konfiskuara. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është hapja e një periudhe 6-mujore për vetëdeklarimin e ndërtimeve pa leje. Sipas projektligjit, subjektet që i deklarojnë vullnetarisht objektet pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, do të mund të përfitojnë të drejtën e parablerjes dhe t’u nënshtrohen procedurave përkatëse.

Por ndryshimet nuk ndalen te vetëdeklarimi. Projektligji parashikon një skemë të re për administrimin, zhvillimin, shitjen dhe përdorimin e objekteve të konfiskuara. Kompetencat pritet të përqendrohen te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), ndërsa Komisioni i Objekteve të Konfiskuara propozohet të hiqet.

Pallatet e lëna përgjysmë mund të përfundojnë nga shteti

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me objektet ku ndërtimi ka mbetur i papërfunduar. Projektligji parashikon që për këto objekte të bëhet vlerësimi teknik, të përcaktohet kostoja e punimeve të mbetura dhe të përcaktohen përgjegjësitë e subjekteve zhvilluese.

Për përfundimin e ndërtimeve, operatorët ekonomikë do të përzgjidhen përmes procedurave të prokurimit publik. Autoriteti që do të merret me prokurimin, mbikëqyrjen, përfundimin dhe kolaudimin e punimeve do të përcaktohet rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave.

Pra, në rastet kur një objekt është konfiskuar dhe ka mbetur në mes të ndërtimit, ligji krijon një mekanizëm që ai të mos mbetet thjesht një godinë e braktisur, por të mund të përfundojë dhe më pas të përdoret apo të shitet.

Mund të përdoren edhe për strehim social

Objektet e konfiskuara mund të përdoren për strehim social ose qëllime të tjera me interes publik. Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë që ato t’u kalojnë institucioneve publike apo njësive të vetëqeverisjes vendore për pronësi, përdorim ose administrim.

Në të njëjtën kohë, ndryshimet prekin edhe pronarët e truallit dhe personat e tretë që kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me kompanitë ndërtuese. Për këta të fundit parashikohet njohja e marrëdhënieve kontraktuale, kompensimi financiar në raste të caktuara, trajtimi i kontratave të kleringut dhe mundësia për të marrë pjesë në procedurat e shitjes së objekteve të konfiskuara.

Projektligji parashikon edhe përgjegjësi ligjore dhe financiare për subjektet zhvilluese, zbatuese, mbikëqyrëse dhe kolauduese, edhe pasi objekti të jetë konfiskuar.

Në paketën e ndryshimeve parashikohet gjithashtu krijimi i një fondi të posaçëm për ndërtimet pa leje, i cili do të përdoret për administrimin dhe zhvillimin e objekteve, përfundimin e punimeve, vlerësimet teknike dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj personave të tretë.

Qeveria argumenton se ndryshimet synojnë të shmangin vonesat dhe mbivendosjen e kompetencave që janë konstatuar gjatë zbatimit të ligjit aktual. Projektligji përbëhet nga 26 nene dhe tashmë është depozituar për shqyrtim në Kuvend./SHEKULLI

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *