Strehimi social, Rama prezanton programin e ri: Do përdoren objektet e konfiskuara, do të kemi 6 kategori (NDARJA)

Pisk
By
Pisk
5 Min Read

Strehimi social, Rama prezanton programin e ri: Do përdoren objektet e konfiskuara, do të kemi 6 kategori (NDARJA)

Qeveria prezantoi sot Programin e ri Kombëtar të Strehimit, që sipas kryeministrit Edi Rama nuk është thjesht një program financiar, por mishërimi i një reforme të thellë strukturore për strehimin në Shqipëri.

Rama tha se nisma do të kalojë fillimisht në konsultim publik dhe më pas në Kuvend, ndërsa bëri të ditur se “Rilindja 2.0” parashikon gjashtë programe të reja për strehimin.

Mes tyre janë banesat sociale me qira, banesat me kosto të ulët, përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, banesat e përkohshme dhe banesat e përshtatura për familjet me persona me aftësi të kufizuara dhe banesat për çiftet e reja.

Kryeministri bëri të ditur se reforma parashikon gjashtë programe të reja, ndërsa i pari do të jetë ai i banesave sociale me qira. Sipas Ramës, skema do të zgjerohet dhe nuk do të mbështetet vetëm te ndërtimet e reja, por edhe te blerja e banesave në treg, përshtatja e objekteve shtetërore ose e objekteve të konfiskuara, si dhe te bonusi i qirasë dhe partneriteti publik-privat.

“Do kalojë në konsultim publik dhe më pas në parlament për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë dhe më të mprehtë. Është një reformë për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë e më të mprehtë për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në rrugën e marrjes së një shtëpie. Ky nuk është një problem vetëm shqiptar, por një problem i madh europian

Rilindja 2.0 është një vizion i ngritur në një nivel tjetër në një sërë aspektesh dhe strehimin e ka aspektin e vet thelbësor. Janë 6 programe të reja, të cilat ne do t’i adresojmë bashkë.

Programi i parë është ai i banesave sociale me qira. Është një skemë e mirënjohur e përdorur në vite, të cilën ne do ta qasim në një mënyrë të re. Faktikisht, dhënia e banesave sociale me qira do të jetë një program i cili do të bëhet më kompleks dhe jo thjesht dhe vetëm prit të ndërtohet edhe pastaj të kesh shansin të marrësh një banesë në një radhë të gjatë ku nuk i dihet si përfundon seleksioni.

Këto banesa do të parashikojnë ndërtim të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve të shtetit ose të konfiskuara, kemi konfiskuar jo pak objekte dhe do konfiskojmë çdo objekt që do shkelë rregullat e lejeve të ndërtimit, bonusin e qirasë dhe PPP. Pra, do përdorim çdo element.

Pastaj te banesat me kosto të ulët, që lidhet me subvencionin nga shteti të kredisë, duke pasur parasysh që banesa e kredituar të hyjë në kategorinë e banesave me kosto të ulët. Pastaj te përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël. Nuk duam të shtojmë një bllok banimi vetëm për njerëz të varfër, por të kemi një bllok banesash dinjitoze. Ata më të kamurit do të blejnë aty e ndaj është me rëndësi cilësia.

Agjencia e zhvillimit të territorit do të marrë një fuqi të re. Në Tiranë shumë shpejt do fillojmë me këtë program të ri dhe kemi në shqyrtim një sërë zonash të tjera në bashki të tjera ku janë të ftuar kryetarët të bëjnë propozime. Programi tjetër është ai i banesave të përkohshme. Dhe programi i 6 është për banesat e veçanta, që janë të përshtatura për familje me persona me aftësi të kufizuara”, tha Rama.

Rama u ndal edhe te programi i katërt, ai për zhvillimin e zonave të strehimit, duke theksuar se synimi nuk është krijimi i blloqeve të banimit vetëm për familjet në nevojë.

“Nuk duam të ndërtojmë blloqe banimi vetëm për njerëz të varfër, por lagje dinjitoze për të gjitha shtresat e shoqërisë. Ata që janë më në nevojë do të kenë mbështetje më të madhe, ndërsa ata që kanë mundësi do të blejnë banesa. Cilësia është e rëndësishme për të gjithë”, tha kryeministri.

Ai shtoi se kjo reformë do të shoqërohet me një organizim të ri institucional, ku Agjencia e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkitë do të funksionojnë si një sistem i vetëm.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *