Artemis II kthehet në Tokë pas misionit historik përreth Hënës, momenti kur 4 astronautët ulen me parashutë në oqean dhe reagimet (VIDEO)
NASA ka publikuar mëngjesin e sotëm fotografitë dhe videot që tregojnë uljen historike të ekuipazhit të Artemis II në Tokë.
Imazhet tregojnë serinë e ngjarjeve që nga vendosja e parashutave të modulit deri te ecja e astronautëve nëpër kuvertën e fluturimit të USS John P Murtha për vlerësim në qendrën mjekësore.
“Ky është fillimi i një epoke të re të eksplorimit të hapësirës nga njeriu”, thotë NASA, pas kthimit të ekuipazhit.
Më 6 prill, anija kozmike arriti distancën maksimale nga Toka 406,771 km (252,756 milje), gjatë fluturimit hënor, duke thyer rekordin e mëparshëm për udhëtimin më të largët që njerëzit kanë udhëtuar ndonjëherë në hapësirë.
Ekuipazhi i misionit Artemis II është rikthyer në Tokë pas udhëtimit historik, duke u bërë grupi i parë që viziton Hënën pas më shumë se gjysmë shekulli.

Komandanti i misionit, Reid Wiseman, është ish-pilot i Marinës amerikane dhe pilot testues. Ai u bë astronaut i NASA në vitin 2009 dhe ka kaluar 165 ditë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) në vitin 2014.
Piloti i anijes, Victor Glover, ka jetuar në ISS nga nëntori 2020 deri në maj 2021 dhe ka qenë gjithashtu pilot i misionit SpaceX Crew-1. Ai mban tre diploma master dhe është astronauti i parë me ngjyrë që fluturon në një mision drejt Hënës.
Specialistja e misionit, Christina Koch, mban rekordin për fluturimin më të gjatë të një gruaje në hapësirë (328 ditë në ISS). Ajo është bërë gruaja e parë që udhëton rreth Hënës.
Ndërsa specialisti tjetër, Jeremy Hansen, është kanadezi i parë që merr pjesë në një mision drejt Hënës. Ai ka kaluar gjithashtu shtatë ditë nën ujë si pjesë e trajnimeve të tij me NASA në programin e quajtur “aquanaut”.
Programi hapësinor Artemis II i NASA ka një kosto marramendëse, por autoritetet amerikane argumentojnë se përfitimet ekonomike dhe strategjike janë të mëdha.

Katër vite më parë, NASA vlerësonte se rreth 93 miliardë dollarë do të shpenzoheshin për Artemis në periudhën 2012–2025, një shumë shumë më e lartë se parashikimet fillestare. Edhe pse programi u shpall zyrtarisht në vitin 2017, ndërtimi i raketës kishte nisur shumë më herët.
Sipas raportit më të fundit të auditimit, kostot kanë vijuar të rriten, duke ngritur pikëpyetje mbi buxhetin afatgjatë të projektit.
Megjithatë, përfitimet e mundshme ekonomike nga shfrytëzimi i burimeve të Hënës mbeten ende të largëta. Në të kundërt, NASA thekson se programi në formën aktuale po sjell ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë amerikane. Sipas të dhënave më të fundit, programi punëson afro 20 mijë persona dhe gjeneron rreth 75.6 miliardë dollarë aktivitet ekonomik.
Një tjetër argument kyç lidhet me konkurrencën globale. SHBA synon të mos mbetet pas në garën për eksplorimin e Hënës, veçanërisht përballë Kinës.
Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2024 nga U.S. House Committee on Science, Space and Technology, kryetari republikan Frank Lucas theksoi: “U kujtoj kolegëve të mi se nuk jemi i vetmi vend që synon të dërgojë njerëz në Hënë. Partia Komuniste Kineze ka shpallur ambicien për të pasur astronautë në sipërfaqen e saj deri në vitin 2030.
Vendi që do të ulet i pari do të ketë mundësinë të përcaktojë standardet nëse aktivitetet e ardhshme në Hënë do të zhvillohen me transparencë dhe hapje, apo në mënyrë më të kufizuar.”
Në një konferencë për shtyp pas uljes së suksesshme të kapsulës Orion, zyrtarët e NASA-s e cilësuan misionin një pikë kthese për të ardhmen e eksplorimit njerëzor në hapësirë.

Menaxheri i programit Orion, Howard Hu, deklaroi se kjo ditë shënon “fillimin e një epoke të re të eksplorimit hapësinor me njerëz”. Në të njëjtën linjë, drejtori i fluturimit për fazën e hyrjes në atmosferë, Rick Henfling, theksoi se misioni i ardhshëm është “fare pranë”, duke bërë të ditur se pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Sipas Henfling, ekuipazhi i misionit Artemis II përshkoi gjithsej 700.237 milje gjatë udhëtimit, duke arritur një shpejtësi maksimale prej 24.664 milje në orë.

Zyrtarët rikujtuan edhe disa nga momentet më të veçanta të misionit. Administratorja e përkohshme, Lori Glaze, e cilësoi eklipsin diellor të vëzhguar nga hapësira si një “përvojë krejtësisht unike”.
Pas imazheve mbresëlënëse të dërguara nga ekuipazhi gjatë misionit, Glaze shtoi se është mbledhur një sasi e madhe të dhënash, të cilat do të analizohen në javët në vijim.

Ndërkohë, Hu ndau edhe një moment personal emocional, duke u shprehur se kjo përvojë ishte “mijëra herë më e bukur” se filmi Star Wars, të cilin kujtoi se e kishte parë dikur me babanë e tij të ndjerë.







Presidenti amerikan Donald Trump, ka përgëzuar katër astronautët e misionit Artemis II për rikthimin e suksesshëm në Tokë, pas udhëtimit historik rreth Hënës.

Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump vlerësoi misionin, duke e cilësuar atë si “spektakolar” dhe duke shprehur krenarinë e tij për arritjen e ekuipazhit.
“Urime për ekuipazhin e madh dhe shumë të talentuar të Artemis II. I gjithë udhëtimi ishte spektakolar, ulja në det ishte perfekte dhe, si president i SHBA-së, nuk mund të isha më krenar!”, shkroi ai.
Më tej, Trump vendosi edhe një objektiv të ri ambicioz për programin hapësinor amerikan, duke theksuar se hapi i ardhshëm do të jetë eksplorimi i Marsit.
“Do ta bëjmë sërish dhe më pas, hapi tjetër do të jetë që astronautët amerikanë të udhëtojnë drejt Marsit!”, u shpreh ai.
Kujtojmë se misioni i shumëpritur Artemis II ka përfunduar me sukses dhe kapsula hapësinore Orion u ul në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Kalifornisë, duke mbyllur kështu udhëtimin historik të astronautëve drejt Hënës dhe rreth saj.
Ekuipazhi i përbërë nga Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen realizoi me sukses një nga hapat më të rëndësishëm drejt rikthimit të njeriut në Hënë, një objektiv që synohet të arrihet rreth vitit 2030.
