Kush do të përfitojë nga Programi i Strehimit Social? Ibrahimaj jep detajet: 7 mijë apartamente do të jenë në dispozicion…
TIRANË– Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka dhënë detaje në lidhje me projektin e qeverisë për strehimin social. Pas mbledhjes së sotme të qeverisë, Ibrahimaj u shpreh se Programi Kombëtar i Strehimit synon të mbështesë jo vetëm shtresat në nevojë, por edhe profesionistët e rinj dhe familjet e reja.
Gjatë deklaratës së saj para gazetarëve, Ibrahimaj bëri me dije se në kuadër të paketës së re ligjore, e cila është në proces përmbylljeje, do të vihen në dispozicion 7 mijë apartamente.
“Dje anonçuam reformën e re, e cila do t’u dedikohet jo vetëm shtresave në nevojë, por edhe të gjithë atyre që janë profesionistë, që janë të rinj, janë familje të reja.
Janë 7 mijë apartamente që do të vihen në dispozicion në bazë të paketës së re ligjore, të cilën ne jemi duke e përmbyllur, ku konkretisht do të jenë katër mijë kredi të buta, ku dy mijë do jenë kredi me zero për qind interes, për apartamente që janë deri në 60 mijë euro vlerë, ku do t’u jepen profesionistëve të rinj dhe çifteve të reja“, tha ajo.
Ndërkohë, për familjet e reja që kanë nevojë për apartamente me sipërfaqe më të mëdha, ministrja tha se po punohet për një politikë të re strehimi.
“Për apartamentet që janë më të mëdha, ku vlera prej 60 mijë eurosh limiton sipërfaqen e apartamenteve, ne duam të bëjmë një politikë të re për familjet e reja me një ose më shumë fëmijë, në të cilën do të vihen 3 mijë apartamente me një kredi të butë, me një normë interesi fikse prej 3%.”, theksoi ajo.
Po ashtu, dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri me dije se do të financohen me 110 milionë euro tre projekte madhore.
“Projektet përfshijnë: Vijimin e punimeve për 14 konvikte për studentët, rehabilitimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe digjitalizimin e Operatorit të Transmetimit“, u shpreh ai.
