Rama takon furnizuesit e karburanteve: Në Shqipëri kemi rritje të moderuar çmimi, më mirë te keni marzh fitimi më të ulët, se Bordin e Transparencës në kurriz (VIDEO)
Kryeministri Edi Rama po zhvillon këtë të mërkurë, më 18 mars, një bashkëbisedim me furnizuesit e naftës pas rritjes globale të çmimeve të karburantit, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas kryeministrit, ky takim po zhvillohet me qëllim “për të përballuar së bashku impaktin e krizës aktuale globale, duke mbrojtur sa më shumë konsumatorët”.
Rama foli në këtë takim mbi një nisë të re, për t’u futur qeveria si distributor garant dhe shumice. Por po ashtu shtoi se ai nuk ka në plan që qeveria të futet në Bord.
“Dua t’ju them që ne jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për t’u futur në treg si distributor garant dhe shumice një faktor shtetëror dhe ne besojmë që do ta bëjë më të lehtë dhe për ju të gjithë punën, pasi do të garantojë sasi të nevojshme duke patur mbështetje shtetërore dhe do të lehtësojë marrëdhëniet me të tretët që për ju kalon përmes brokerëve, por ne do të sigurohemi që të kaloje drejtpërdrejt te kompanitë.
Ruani këtë ekuilibër që keni ruajtur deri tani. Ne nuk e kemi parë të arsyeshme duke u nisur edhe nga komunikimet e pëparshme me ju që të hedhim hapin dhe të kalojmë në bord, sepse në fund të ditës nëse dialogu funksionon siç ka funksionuar deri më tani, qëllimi nuk është t’ju shtrëngojmë ju në punën tuaj, por të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e vetme në supet e konsumatorëve. Kjo do të thotë marzhe më të ulëta fitimi për ju, por më mirë marzhe më të ulëta fitimi se bord në kurrizin tuaj.”, u shpreh ai.
Kryeministri gjatë këtij takimi, vlerësoi qasjen e deritanishme të furnizuesve të naftës lidhur me krizën.
“Tani aktualisht unë kam marrë në mënyrë të vazhdueshme informacion nga ministrat që janë këtu të pranishëm dhe para se t’i kaloj atyre fjalën sipas radhës, dëshiroj të shpreh në njëfarë mënyre konsideratën pozitive për qasjen tuaj, e cila ka qenë e përgjegjshme. Nëse në tërësi në treg, përmes bursave është konstatuar një rritje deri në 40% të çmimit, gjë që shkakton një presion të madh, çmimi është rritur në mënyrë më të konsideruar për shkak të rritjes së çmimit të bursës në disa vende të tjera.
Sfida është e hapur, nuk e di askush se kur do të mbyllet ajo betejë që mban faktikisht lidhur pas vetes dhe çmimin e naftës, nuk di të thojë askush se si do të shkojë çmimi në bursë nëse do të ketë rritje të mëtejshme apo do të stabilizohet në një moment të caktuar, por e sigurt që ne do të bëjmë atë që mundemi dhe që na takon duke filluar nga rezerva. Ju keni një rezervë të arsyeshme e cila fizikisht është aty për 30 ditë, ndërkohë që në kontratat tuaja figuron e garantuar për rreth 100 ditë dhe kjo është pozitive, megjthatë mbetet për t’u monitoruar ditë pas dite situata.”, tha Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të ngrihet një bord për monitorimin e naftës, ndërsa iu drejtua furnizuesve se do të jetë më mirë për të që të kenë një marzh më të ulët fitimi sesa bordin në kurriz.
Rama: Dua ta mbyll duke ju kërkuar që të ruani këtë ekuilibër. Ne nuk kemi parë të arsyeshme, edhe duke u nisur nga komunikimet e mëparshme me ju që të hedhim hapin dhe të kalojmë në bord. Nëse dialogu funksionin si më parë, ne qëllimin nuk e kemi t’ju shtrëngojmë juve, por të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme s’mund të interpretohet e gjitha në supet e konsumatorëve. Kjo do të thotë marzh më të ulët fitimi për ju. Më mirë marzhin me fitim më të ulët se bordin në kurriz.
Rama ka reaguar lidhur me debatin për taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e karburanteve, duke theksuar se zhvendosja e saj jashtë këtij çmimi nuk do të ulte barrën për qytetarët, por përkundrazi do ta rriste atë.
Ai argumentoi se nëse kjo taksë hiqet nga struktura aktuale, ajo do të transferohet në një formë tjetër, konkretisht si taksë mbi automjetin.
Kryeministri theksoi se sistemi aktual ndjek parimin që kush konsumon më shumë karburant dhe ndot më shumë, paguan më shumë.
“Taksa e qarkullimit e vendosur në strukturën e çmimit të karburantit, për ata që e dëgjojnë këtë dhe nuk janë të informuar, nuk është problemi se ulet këtu, problemi është se po iku nga këto do shkojë në një vend tjetër. Aty ku e kanë vendet që nuk e kanë në strukturën e çmimit. Nëse shkon diku tjetër do shkojë tek përdoruesi i automjetit në formën e taksës për automjetin. Nga llogaritja që kemi bërë rezultati është shumë i thjeshtë. Nuk besoj se ka përdorues automjeti sot që do preferonte se në vend që ta paguante në strukturën e çmimit për aq karburant sa harxhon, të paguajë 4 fishin e asaj që paguan sot për makinën. Sipas kategorive të makinave të mund të paguajë në ndonjë rast 10-fishin. Ndotësit e mëdhenj duhet të paguajnë më shumë. Në atë strukturë të çmimit nuk janë pensionistët, por janë ata që kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë”, tha Rama.
Refuzohet ulja e taksave
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha sot gjatë takimit me përfaqësuesit dhe biznesmenët e hidrokarbureve dhe biznesit se do garantojnë që të mos ketë abuzime me çmimin e naftës, nëpërmjet monitorimit dhe kontrolleve të përditshme që do të bëhen në treg.
Por ajo paralajmëroi se nëse do të vëreheshin shkelje dhe abuzime, atëherë do veprohet sikurse gjatë krizës së luftës në Ukrainë, me ngritjen e Bordit të karburanteve.
E shoqëruar edhe nga kryeministri Edi Rama në këtë takim, Ibrahimaj tha se në tregjet evropiane çmimet janë rritur deri në 40%, kurse në Shqipëri ka rritje 10-15%. Ajo shpjegoi edhe arsyen pse taksa e makinave dhe karburantit është vendosur për litër dhe jo për mjete.
Ibrahimaj deklaroi se qëllimi kryesor është reduktimi i ndotjes dhe konsumi sa më pak i hidrokarbureve dhe se ato që ndotin më shumë do taksohen më shumë.
“Ky është takimi i tretë që zhvillojmë me përfaqësuesit kryesorë të hidrokarbureve dhe ata të pakicës. Rezerva është e detyrueshme në kuadër të situatës së krijuar, sepse sinjali i parë që patëm, bllokimi i Ngushticës së Hormuzit do pasohej ehe me situatën e furnizimit dhe çmimeve. Kanalet e furnizimit garantojnë mosndërprerjen e furnizimit sepse përfaqësuesit kanë kontrata afatgjata dhe nuk lidhen me Ngushticën. Por shqetësimi kryesor është situata e çmimeve në treg, jemi për të analizuar situatën e çmimeve në tërësi. Të garantojnë që nuk do ketë abuzime me çmimet, rritje të tyre dhe kryesisht tek tregtarët e pakicës. Kemi pasur një luhatje të çmimeve të bursës me 40%, por çmimet në Tiranë nuk kanë pasur rritje më të madhe se 10-15%”, tha ministrja e Ekomonisë.
Më tej Ibrahimaj shpjegoi se aktualisht nuk ka nevojë për ngritjen e Bordit të Karburanteve, sepse nuk vërehet abuzim me çmimet. Por kjo do të ndodhte në momentin e parë që grupet e kontrollit do hasnin problematika dhe abuzime.
“Për këtë jemi ulur dhe kemi diskutuar me Bordin e Transparencës së Karburanteve, i ngritur që nga periudha e luftës në Ukrainë. Nuk jemi ende në kushtet e ngritjes së atij Bordi, por nëse do hasim marzhe dhe rritje abuzive të çmimeve, do futemi edhe në atë kanal me Bordin, pasi qëllimi është mbrojtja e konsumatorit nga çmimet abuzive”, shpjegoi ministrja.
Më tej ajo tha se kontrolle dhe monitorime po bëhen edhe për produktet ushqimore dhe të shportës, për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet me çmimet.
“Jemi angazhuar në furnizimin ditor për produktet e shportës dhe ushqimeve kryesisht. Po monitorohen çmimet dhe nuk ka ende asnjë luhatje apo sjellje abuzive dhe spekulative e tregtarëve. Eksperienca e mëparshme ka treguar se kriza energjetike solli rritje të madhe të inflacionit në Evropë dhe vendet e rajonit, por në Shqipëri ishte më e vogël si pasojë e kontrolleve që ne i bëmë tregjeve”, shpjegoi Ibrahimaj.
Gjithashtu ajo shpjegoi edhe taksën e naftës për litër dhe jo për makinë:
“Kemi dëgjuar ditët e fundit kërkesat për çmimet dhe ndryshimin e strukturës për taksën e karburanteve. Kemi një model takse që aplikohet për litër dhe në modele të tjera është taksë që aplikohet për makina. Ne kemi vendosur parimin e taksës së litrit me qëllimin që ai që harxhon më shumë, paguan më shumë, sepse lidhet edhe me ndotjen mjedisore, pra ndotësit e mëdhenj paguajnë edhe më shumë. Makinat që harxhojnë shumë, ndotin më shumë, ndaj mendojmë se është politikë e drejtë. Në kushtet kur ka rritje eksponenciale çmimesh, individët të paguajnë më pak”.
Në fund ministra prezantoi edhe situatën e këmbimit valutor, duke shpjeguar se kriza në Lindjen e mesme nuk e ka prekur tregun shqiptar të valutës, ndërsa nuk do mungonin monitorimet në terren.
“Po analizojmë edhe efektet që ka situata në kursin e këmbimit, kryesisht për euron dhe dollarin. Dua të them që jemi në monitorim të vazhdueshëm dhe ky monitorim është ditor. Do vazhdojmë ta bëjmë në mënyrë transparente dhe në komunikim me publikun”, u shpreh Ibrahimaj.
