Ngërçi me pronat, zbulohet projektligji i qeverisë, brenda 6 muajsh shkrihet Kadastra
Pas vitesh problematikash, zvarritjesh dhe konfliktesh të lidhura me pronësinë, qeveria po përgatit një tjetër ndryshim në strukturën institucionale që administron çështjet e pronave në Shqipëri.
Një projektligj i hedhur për konsultim publik parashikon shkrirjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) me Agjencinë e Trajtimit të Pronës (ATP), duke i bashkuar funksionet e tyre në një institucion të ri që do të quhet Agjencia Shtetërore e Pronës (ASHP).
Sipas projektligjit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Pronës do të emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri.
Në praktikë, ASHP do të përmbledhë kompetenca që lidhen me administrimin dhe regjistrimin e pasurive, trajtimin e çështjeve të pronësisë, kompensimin e ish-pronarëve dhe procese të tjera që prej vitesh kanë qenë objekt ankesash dhe konfliktesh.
Për këtë arsye, përqendrimi i këtyre kompetencave në një institucion të vetëm ngre pyetjen nëse synimi kryesor është rritja e eficiencës administrative apo krijimi i një mekanizmi më të centralizuar vendimmarrjeje.
Projektligji parashikon gjithashtu masa ndëshkuese ndaj punonjësve të administratës.
Në rastet kur dosjet vonohen apo dokumentacioni humbet, punonjësit përgjegjës mund të përballen me gjoba nga 5 mijë deri në 500 mijë lekë. Në pamje të parë, masa synon të rrisë përgjegjshmërinë e administratës dhe të frenojë zvarritjen e procedurave.
Një tjetër çështje që mbetet për t’u parë është mekanizmi me të cilin do të dokumentohen shkeljet dhe do të vendosen gjobat, në mënyrë që masa administrative të mos kthehet në një instrument arbitrar ndaj punonjësve.
Një prej ndryshimeve të parashikuara lidhet me trajtimin e problemeve në hartat kadastrale. Projektligji synon që korrigjimet e deformimeve në hartat e pronave të kryhen pa pagesë për qytetarët. Po ashtu, parashikohet një qasje e re lidhur me verifikimin e origjinës së pronës pas lëshimit të certifikatës.
Por problemi i pronave në Shqipëri nuk lidhet vetëm me procedurën administrative të korrigjimit të hartave. Mbivendosjet e pasurive, pasaktësitë në dokumentacion, konfliktet mes titujve të pronësisë dhe pasiguritë juridike kanë krijuar ndër vite një situatë komplekse, ku një ndryshim institucional nuk mjafton domosdoshmërisht për të zgjidhur problemet e trashëguara.
Një tjetër pikë e rëndësishme e projektligjit është afati për riorganizimin e dy institucioneve ekzistuese. ASHK dhe ATP parashikohet të shkrihen brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa funksionet dhe përgjegjësitë e tyre do të transferohen te struktura e re.
Ky proces prek një volum të konsiderueshëm dosjesh dhe procedurash, përfshirë çështjet e kompensimit të ish-pronarëve, legalizimeve dhe trajtimit të pronave.
Pikërisht këtu qëndron një nga sfidat kryesore të reformës: kalimi nga dy struktura ekzistuese në një agjenci të re duhet të bëhet pa humbur gjurmën administrative të dosjeve dhe pa krijuar një tjetër valë vonesash për qytetarët që prej vitesh presin një zgjidhje.


