Pas kaosit të së dielës, rruga Librazhd–Korçë mbyllet sërish për tre netë

Pisk
By
Pisk
2 Min Read

Pas bllokimit të së dielës në rrugën Librazhd–Korçë, në zonën e fshatit Dragostunjë, që paralizoi gjysmën e vendit, policia njofton se qarkullimi i makinave do të bllokohet përkohësisht gjatë natës nga data 3 deri më 5 shkurt 2026.

Kjo, sipas policisë, për shkak të punimeve që po kryhen në këtë segment rrugor. Bllokimi do të jetë në fuqi çdo natë nga ora 22:00 deri në 05:00, ndërsa gjatë kësaj kohe do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë.

Detajet e plota: 

Për shkak të punimeve që do të kryhen në aksin rrugor “Librazhd-Korçë”, në fshatin Dragostunjë, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të automjeteve në këtë aks rrugor, nga data 03.02.2026 deri më datë 05.02.2026, gjatë intervaleve kohore 22:00 – 05:00.

Gjatë këtyre intervaleve kohore, aksi rrugor do të jetë i pakalueshëm për mjetet, veçanërisht për mjetet e tonazhit të rëndë. Pikat e kalimit kufitar janë njoftuar për informimin e drejtuesve të këtyre mjeteve, për bllokimin e përkohshëm të qarkullimit.
Gjatë kohës së bllokimit të lëvizjes do të lejohen të qarkullojnë vetëm autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë.

Si alternativë kalimi për mjetet e vogla do të shërbejë aksi “Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh”, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.

Shërbimet e Policisë do të jenë të pranishme në terren, për menaxhimin e situatës, garantimin e rendit dhe të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për mirëkuptim nga ana e drejtuesve të mjeteve, respektimin e sinjalistikës dhe të udhëzimeve të shërbimeve të Policisë, si dhe për shmangien e lëvizjeve të panevojshme gjatë intervaleve kohore të bllokimit.

Në rast nevoje apo për të denoncuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor që sjellin ngadalësim apo bllokim të lëvizjes, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 ose të komunikojnë me shërbimet e Policisë në detyrë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *