PS rrëzon kërkesën e PD-së për projektligjin që ul çmimin e naftës deri në 180 lekë/litër

Pisk
By
Pisk
5 Min Read

PS rrëzon kërkesën e PD-së për projektligjin që ul çmimin e naftës deri në 180 lekë/litër

PS rrëzoi sot kërkesën e PD për pr/ligjin që ul çmimin e naftës, ku kërkohej procedurë e përshpejtuar, me 77 vota pro.

Bëhej fjalë për një propozim të bërë nga Partia Demokratike, që ishte dorëzuar në Kuvend. Propozimi i Partisë Demokratike kërkoi vendosjen e akcizës së ndryshueshme për lëndët djegëse, ku e gjithë TVSH-ja që akumulohet nga rritja e çmimit të karburantit do të shkojë automatikisht për uljen e akcizës së naftës dhe, sipas PD, nëse kjo masë do të aplikohej, sot çmimi i naftës nuk do të ishte më i lartë se 180 lekë për litër.

Pas konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i karburantit në vend është rritur ndjeshëm, ndërsa ka hyrë në lojë Bordi i Transparencës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi në Kuvend ndaj akuzave të opozitës për rritjen e çmimit të naftës, duke theksuar se kjo është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet globale dhe jo me vendimmarrjen e qeverisë shqiptare.

Në fjalën e tij, Balla u shpreh se nafta është një mall burse dhe çmimi i saj përcaktohet nga tregjet ndërkombëtare. Ai theksoi se Shqipëria furnizohet nga kompani të mëdha ndërkombëtare, si British Petroleum, të cilat operojnë mbi bazën e çmimeve të bursës.

Balla mbrojti gjithashtu rolin e Bordit të Transparencës, duke theksuar se ky mekanizëm është përdorur edhe në krizën e mëparshme pas luftës në Ukrainë dhe ka dhënë efekt në stabilizimin e çmimeve.

Sa i përket debatit politik, ai akuzoi opozitën se po e përdor çështjen për retorikë ditore, ndërsa shtoi se projektligjet e propozuara prej saj do të diskutohen në Kuvend sipas kalendarit të miratuar me konsensus, konkretisht në datën 30.

“U tha këtu se nafta në Shqipëri vjen më shtrenjtë sesa në vende të tjera. Nafta është mall burse. Shqipëria sot blen në bursë. Kompania që e sjell në Shqipëri, British Petroleum është një ndër tre kolosët më të mëdhenj botërorë të naftës. Çdo ditë në mëngjes…

Zoti kryetar, ju lutem, se pastaj këta provokohen… Këta kur u kthen përgjigje edhe provokohen dhe nuk mbajnë. Por ta mbaroj. Ta mbaroj.

British Petroleum që është furnizuesi kryesor i Shqipërisë sot, në çdo mëngjes shet me çmim burse. Dhe e paskemi fajin ne, tha zotëria, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar Iranin e për pasojë regjimi i Iranit ka bllokuar ngushticën Hormuzit e për pasojë ka ardhur rritja e çmimit në bursë të naftës. Po, e kemi mbështetur presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe goditjen e regjimit të Iranit, përsëri ju kujtoj se është në turpin tuaj që keni munguar në Kuvendin e Shqipërisë në Deklaratën Ndëshkuese, dënuese të Kuvendit të Shqipërisë ndaj regjimit dhe Gardës Revolucionare të regjimit iranian. Por kjo s’ka asnjë lidhje me ato që sapo u thanë këtu. Bordi i Transparencës është një mekanizëm i përdorur edhe 4 vite më parë kur Rusia sulmoi Ukrainën, dhe padyshim që ka dhënë efektet e veta, por të gjitha këto ne do t’i diskutojmë kur të vijë diskutimi i këtij projektligji nga ana juaj. Ju mos u mërzisni që ne nismat tuaja ligjore i votojmë kundër, jo se nismat tuaja ligjore, ju thashë mund të ketë raste që ka dhe propozime që bëjnë sens. Por ne jemi të gatshëm dhe njëherë ne jemi të gatshëm edhe njëherë që nisma tuaja ligjore t’i diskutojmë, po jo me këtë variantin kështu siç ua thashë në fillim të seancës, por nëse doni ulemi t’i diskutojmë, padyshim që ne kemi nismat tona qeveria ka nismat e veta, qeveria po bën punën e duhur sa i takon adresimit të kësaj krize botërore të çmimit të naftës, dhe padyshim që në datë 30 a kur e kemi përcaktuar sipas asaj që kemi rënë dakord në kalendar, kemi rënë dakord në kalendar, do kemi dhe diskutim për këtë çështje edhe pozicionin zyrtar të qeverisë sa i përket këtij projektligji”- tha Balla.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *