Zjarri dogji 71 apartamente në pallatin pranë “Farmacisë 10”, Bashkia e Tiranës miraton dhënien e ndihmës financiare për familjet e prekura
Këshilli Bashkiak i Tiranë ka miratuar dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare për familjet e prekura nga zjarri që ra më 14 prill në pallatin në rrugën e Dibrës, në zonën e quajtur Farmacia 10 pranë QSUT-së.
Vendimi parashikon që përfituesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës pranë njësive administrative ku janë të regjistruar, përfshirë dokument identifikimi, certifikatë familjare, dokumente pronësie mbi banesën e dëmtuar, si dhe një deklaratë për vërtetësinë e të dhënave.
Po ashtu, kërkohet vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës që provon se familjarët madhorë nuk zotërojnë banesë tjetër në të njëjtën njësi vendore.
Njësitë administrative do të kenë detyrën të verifikojnë dokumentacionin dhe të hartojnë listën e përfituesve, e cila më pas do t’i përcillet strukturave përkatëse për miratim dhe ekzekutim të pagesave.
Ndihma financiare do të monitorohet çdo muaj dhe do të ndërpritet në momentin që familjet sistemohen përfundimisht në banesat e rikonstruktuara. Në rastet kur konstatohet përfitim i padrejtë, do të nisin procedurat për kthimin e shumave të përfituara.
Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2026, në kuadër të programit për mbrojtjen nga zjarri dhe mbrojtjen civile.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit do të raportojë çdo tre muaj pranë Këshillit Bashkiak për listën e përfituesve dhe ecurinë e zbatimit të këtij vendimi.
